Monday, October 16, 2006

Gazeta Shqiptare Online

Pas akuzave të Paskal Milos, rrëfimi i plotë i ish-kryehetuesit Dilaver Bengasi mbi denoncimin e shkrimtarit


Ju dëshmoj mëkatin e Kadaresë me internimin e familjes Rapi
“Ishte viti 1982, kur Foto Çami më thirri në zyrë...”


Nga Dilaver Bengasi

(vijon nga faqja 1)

Kërkoi ndjekjen penale për një djalë 18-vjeçar, i quajtur Renato Rapi. Ky djalë merrte në telefon familjen e Kadaresë për të biseduar me vajzën e tij, me të cilën kishte lidhje shoqërore. Djali pretendonte se me vajzën dashuroheshin. Kur Kadareja mori vesh mbi këtë lidhje, donte me çdo kusht që kjo të prishej. Por Renato vazhdonte me të tijën. Mirëpo, telefonatat e përsëritura “e shqetësonin” familjen Kadare. Prandaj, Kadareja po bënte denoncimin ndaj Renatos. Kjo ishte vepër e sanksionuar nga neni 129 i Kodit Penal. Akuzohej në denoncim edhe nëna e Renatos, Janulla Rapi, e cila kishte marrë guximin për të shkuar në shtëpinë e Kadaresë. Mirëpo nuk i ishte hapur dera dhe Janulla e paskësh fyer, duke i rënë derës me forcë. Kështu, kishte shqetësime të mëdha Ismail Kadareja.
U fillua çështja penale nga hetuesi N.Topjani. U mor në përgjegjësi penale dhe nëna e Renatos, Janulla Rapi. Akuza ishte për fyerje publike të Ismail Kadaresë. Renato ishte simpatik, inteligjent dhe vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik të Tiranës. Nëna e tij, Janulla Rapi ishte shitëse e divorcuar nga burri. Hetuesi N.Topjani nuk njihte nga palët asnjë person. Por duhej të shmangte të gjitha ndërhyrjet apo presionet që mund të bëheshin. Ishte i aftë dhe korrekt. Njëherazi për çdo gjë do të konsultohej me kryetarin e hetuesisë.
Pas fillimit të hetimeve, më thërret në zyrën e tij Foto Çami, në atë kohë ishte sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Tiranës, i cili më shpjegoi se I.Kadareja ishte ankuar për një “rrugaç” të quajtur R.Rapi, që i kishte mashtruar vajzën, duke krijuar momente irritimi. “Më ka thënë, - theksoi Foto Çami, - se megjithëse e ka denoncuar problemin në hetuesi, juve nuk po e vlerësoni si duhet. Për këtë problem që ka të bëjë me nderin e I.Kadaresë, - tha ai, - duhet të bëni të gjitha përpjekjet deri dhe në arrestimin e atij djali. Nuk duam të shqetësohet familja e Kadaresë”.
Shpjegova se ai djalë ishte një nxënës shkolle në Liceun Artistik, por siç del, ai është dashuruar me vajzën e Kadaresë. Për sa i përket hetimit të çështjes, mendoj se është vlerësuar, megjithëse denoncimi i bërë nuk i plotësonte elementët e veprës penale, sikurse pretendohet. Djali me vajzën kanë lidhje prej kohësh dhe këtë e vërteton edhe... “Për sa i përket sugjerimit, - vazhdova unë, - se nderi i I.Kadaresë duhet shpëtuar nëpërmjet arrestimit të këtij djali, kjo më vjen keq që po ju them, por nuk mund të bëhet, sepse nuk ka bazë ligjore për një arrestim të tillë. Djali Renato nuk ka bërë asnjë vepër penale, veç dashurisë. Për dashuri, që ka të bëjë me një normë morale, nuk kemi bërë ndonjëherë arrestime”. Më tha që të shkoj përsëri pasdite në zyrën e tij, se do të ishin dhe kryetari i Gjykatës dhe prokurori i rrethit. Ndërkaq, unë u takova me V.Konomin dhe I.Remjen, përkatësisht kryetar dhe prokuror, e u tregova porosinë që më ishte bërë. Ata kishin të njëjtin mendim me mua. Edhe në takimin që bëmë pasdite me Foto Çamin, ata të dy mbështetën mendimin tim.
Por hetimi vazhdoi. Janulla, nëna e Renatos ishte marrë e pandehur në gjendje të lirë. Ajo erdhi disa herë në zyrë për t’u ankuar ndaj një hetuesi, që pretendonte se ndihmonte padrejtësisht familjen Kadare. E sigurova se nga hetuesia do të kishte vetëm zbatim të drejtë të ligjit dhe objektivitet. Janulla këmbëngulte se nuk kishte bërë asnjë veprim antiligjor në adresë të familjes Kadare. Sqarimet që ajo kërkonte të bënte me atë familje, ata i kishin marrë për fyerje. Këto pretendime, hetuesi N.Topjani i kishte vërtetuar dhe i kishte raportuar. Hetuesi i çështjes kishte raportuar se shpeshherë i shkonte në zyrë edhe Elena Kadare, që i bënte presion duke i kërkuar arrestimin e Janullës dhe Renatos. Pas këtij raportimi në prani të rreth 25 hetuesve, tërhoqa vëmendjen se, nëse nuk provohej vepra penale, atëherë akuza të pushohej dhe të mos binte askush nën presionin Kadare.
Sigurisht që nga ana ime si kryetar i hetuesisë, toni me të cilin porosita që të zbatohej ligji ishte i lartë, i ndikuar edhe nga ankesat e Janullës apo presionet e Elenës ndaj hetuesit. Ditën e dytë, rreth orës 8:30 të mëngjesit, mori në telefon ministri i Punëve të Brendshme, i cili kërkonte të sqarohej përse ishte fyer në mbledhjen e hetuesisë, Ismail Kadare. Veç u theksua se në hetuesi të mos pranohej asnjë person qoftë edhe nga Kadare.
Ndërkohë, Hekuran Isai më tha se Elena Kadare i kishte shkuar në zyrë që në mëngjes dhe ishte ankuar ndaj kryetarit të hetuesisë, i cili jo vetëm nuk po e vlerësonte çështjen e denoncuar nga familja Kadare për të ndëshkuar familjen Rapi, por për më tepër kishte fyer Ismail Kadarenë në mbledhjen e Hetuesisë së Tiranës. Në orën 10:00 shkuam në zyrën e ministrit, së bashku me dy hetues. Atje gjetëm dhe drejtorin e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe një punëtor operativ të sigurimit. Hetuesi N.Topjani shpjegoi saktë se denoncimi i Ismail Kadaresë nuk përmbante elementë të ndonjë vepre penale, as për Janullën e as për të birin, Renaton. Ministri Isai na shpjegoi se Ismail Kadareja ishte njeri i nderuar dhe vetë shoku Enver Hoxha e kishte vlerësuar posaçërisht. “Problemi është i qartë, - vazhdoi ai, - do pasur kujdes në trajtimin e Kadaresë”. Pastaj Elena Kadare kishte akuzuar se Janulla ndiqej si agjente ruse. Kush e kishte thënë këtë? Ishte e vërtetë, apo ishte thashethemnajë si shumë hamendje keqdashëse?
Ministri shfaqi inat e pakënaqësi ndaj operativit V.M. dhe hetuesit R.I., kur dëgjova se Janulla Rapi ndiqej nga Sigurimi si agjente ruse dhe këtë problem e paska mësuar Elena, të them të drejtën u çudita. Sa thellë i kishte futur rrënjët I.Kadareja me “informatorët” e tij në punën e sigurimit dhe hetuesisë, kur ne nuk kishim dëgjuar asnjë fjalë të tillë. Mbas pyetjeve dhe përgjigjeve që u bënë në zyrën e ministrit, u porositëm që të kishim kujdes dhe të mos krijonim situata shpërthyese ndaj Kadaresë. U tërhoq vëmendje dhe për faktin se Elena kishte mësuar sekretet e Sigurimit të Shtetit. Por, me gjithë presionin nga lart, çyshtja e ngritur për Janulla Rapin dhe djalin e saj Renato, nga hetuesia u mbyll. Sidoqoftë edhe pas këtij veprimi objektiv ligjor të hetuesisë, reagimet e veprimet ndëshkuese ndaj familjes së djaloshit Renato Rapi nuk pushuan. Për të plotësuar dëshirën e Kadaresë dhe që ai të “rrinte i qetë”, me porosi partie u vendos masa e internimit të familjes Rapi. Pra, u internua Janulla dhe Renato, si kundërshtarë të familjes Kadare, për të vënë “në mbrojtje dinjitetin e tyre”. Me urdhër nga një apo disa drejtues të lartë, më 25 prill 1984, familjen Rapi e internuan në Kosovë të Elbasanit. (...)
Sipas rrëfimeve të një ish-gjyqtareje të Gjykatës së Lartë, kam mësuar se Janulla Rapi, mbi bazën e denoncimit të Ismail Kadaresë
Në polici, për një vepër penale si ajo “e fyerjes”, që ishte në kompetencë të drejtpërdrejtë gjykimi nga gjykata, ishte dënuar me 11 muaj edukim nëpërmjet punës. Vuajtjen e dënimit e kishte filluar në kombinatin “Josif Pashko”. Sapo kishte filluar punën e detyruar në zbatimin e vendimit të gjykatës, Janulla Rapi
I kishte shkruar një letër Enver Hoxhës, duke i treguar se shkaku i dënimit të saj ishte vetëm fakti se djali i saj dashuronte vajzën e Ismail Kadaresë, lidhje të cilën ai nuk e dëshironte. Enver Hoxha, pasi kishte lexuar letrën, kishte vënë një shënim duke theksuar se si ishte e mundur të dënohej ajo nënë, pse djali i saj dashuronte vajzën e Ismail Kadaresë apo kushdoqoftë tjetër. Kjo letër me shënim përkatës i ishte dërguar kryetarit të Gjykatës së Lartë, i cili kishte urdhëruar rigjykimin e çështjes direkt atje, me kryesues seance gjyqtarin e mirënjohur A.Z, i cili masën e dënimit “me punë të detyruar me 11 muaj”, e uli gjykimin në 2 muaj, kohë që Janulla Rapi kishte bërë deri në kohën e rigjykimit.
Por sikurse citova më sipër, ky dënim i lehtë nuk kënaqi kurrë kundërshtarin e saj dhe më 25 prill 1984, Janulla Rapi me të birin Renaton, u internuan në Kosovë të Elbasanit.
Marrë nga libri
“Enigmat e 2 Korrikut ‘90”

0 Comments:

Post a Comment

Subscribe to Post Comments [Atom]

<< Home