Monday, November 21, 2005

MILOSHI, DURRËSI DHE NJERIU I BLLACES TUE U LA
Nga Migjen Kelmendi
Oct 13, 2005, 12:56

NJERIU I BLLACES, kosovari i hutuem me luftë, kosovari në tanë pamundësinë e vet, kosovari gjynah, i shkretë, i cili ishte në trenin e deportimit, nuk e dijke ku e ka familjen, nuk e dijke çka po ndodhë, nuk e dijke ku po e çojnë, nuk e dijke a don me pshtue a jo, nuk e dijke që asht luftë, sepse partia e tij LDK i kish pas thanë se nuk ka luftë, e kishte veç nji hall, aty në trenin e mbushun me mish kosovarësh si konzervat e sardinës – “E kam lanë derën e shpisë çelë! Qysh me ja bo hallin?!”
E pashë këte kosovarin sivjet në nji program televiziv të Shqipnisë, tue u la n’Durrës. Me done t’rramë se llastikin e kishin t’prishun, i rreshktë p’ej dielli se ka kujtue se dielli s’i ban gja e kremat e çadrat ishin shtrejtë, me dhambë të prishtë e të’verdhuem cigareje, këtij ekstenzioni dore t’Njeriut t’Bllaces, kurioz e plot shend tue e pa foton e Milloshit vnue si shej nga ndonji shqiptar Shqipnie, koshient për tanë budallakinë e nji Njeriu të Bllaces.
Ky shqiptar Shqipnie, kopil e i mençun si naj punëtor Sigurimi Enveri, e kish pas hetue tanë pamundësinë, tanë frustrimin e nji kosovari, e nji Njeriu të Bllaces, dhe me nji teptisje gjenialiteti të çastit, e kish pas skenue dikah prej Interneti, si tha, nji fotoportret të Sllobodan Millosheviqit, dhe e kish pas vnue si shej që kosovarët, shkue me u la n’Durrës, me e qillue me pushkë!
Keshke Njeriun i Bllaces, i lumnuem, i gëzuem, që asht kah e qillon Milloshin n’tepe t’kresë! N’lul t’ballit. Trim, siç nuk ka qenë kurrë. Krenar, siç nuk e di çka domethanë. I lumnuem, siç ka qenë gjithmonë.
Tanë frustrimin e mbledhun dekade, Njeriu i Bllaces e shpraske n’ate imazh t’skenuem të Milloshin, qashtu qysh kurrë s’ka pasë guximin me e ba. Gjatë tanë asaj kohe aparthejdi, Njeriut të Bllaces as në fund të mendjes nuk i pat shkue me e qillue qishtu me pushkë Milloshin, qysh nisën me e quejt. Atij vetëm i shtihoheshin dofar lajme se “paska dekë, a ndiet? Ka dekë Milloshi!!!”. U gëzojke kapak, me disa cigare e disa çaja t’zi (“si qehrja, a s’po e shef çfare, a!”) Njeriu i Bllaces që shet mend në çajtore me çaj t’zi t’Rusit, të zi si qehrja e vet, tanë asaj kohe e mashtrojke veten me këso lajme që i ndigjojke diku, sa me u habit e me u hutue pak. Se, me ba me ndejt i kthejlltë, i bijke t’paktë prej tanë asaj doze realiteti.
Shumë vjet ma vonë, e pashë këte njeri të shkretë, këte model dominant kosovari, sepse dominant edhe ishte numri i kosovarëve të dëbuem prej Kosove – afër 1 milion njerëz – se si e qillojke n’lule t’ballit nji imazh me të cilin kishte jetue me dekada - i ngrimë tute.
Dokej i lumnuem kur e qillojke. I lumnuem si gjithmonë që ka qenë. Njeriu i Bllaces.

0 Comments:

Post a Comment

Subscribe to Post Comments [Atom]

<< Home